Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është gati për një nismë për ta shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal në Rahovec që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Defrim Kafexhiut në një përplasje të re politike.
Në një prononcim për Nacionalen, asamblisti i AAK-së, Hasan Përboqi ka deklaruar se nuk ka ende diçka zyrtare, por sipas tij, “gjithmonë kanë ambicie për ta shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal”.
“Për momentin nuk mundem me thënë kurgjo hiç, ne si opozitë kemi gjithmonë ambicie për me e shkarku, por zyrtare nuk ka kurgjo hiç.” – tha ai.
Pyetur mbi arsyet për një vendim të tillë, ai na tha se “janë grupi më i madh në Kuvendin Komunal”.
“Arsyeja është se jemi 15 asamblistë, dhe si grup më i madh, na takon kryesuesi.” – tha ai.
Ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Defrim Kafexhiu i ka thënë Nacionales se ka informacione për “inicimin e procedurave për shkarkim”, por për një gjë të tillë, ai tha se duhen 16 vota, derisa AAK-ja i ka vetëm 15 asamblistë.
“Pushteti në Rahovec i ka 15 asamblistë, për me pasë shumicën, i duhen 16 vota. E dimë që përgjatë kësaj kohe AAK i ka fitu 12 asamblistë, përgjatë kësaj kohe ka arrituë me i kompletu 15 asamblistë në forma të ndryshme, që lidhen me interes të ndërsjelltë.” – u shpreh ai.
Kafexhiu shtoi se “nuk e di nëse dikush prej opozitës do ta tradhtojë”, por sipas tij, arsyet prapa këtij vendimi janë politike.
“Që lidhen me interes të anëtarëve e partiak. Unë nuk e di nëse dikush do të na tradhtojë prej opozitës, unë jam kryesues i opozitës, vazhdoj me qenë. Arsyeja është puro politike, po duan me pasë një kryesues të vetin. Kuvendi ka funksionu në mënyrën më të mirë të mundshme deri tash, nuk ka arsye tjera, pos arsye politike.” – deklaroi ai.
Kujtojmë se Kuvendi Komunal në Rahovec ka 31 ulëse. Kjo komunë udhëhiqet nga Smajl Latifi i AAK-së.