Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar të enjten se ka pasur disa biseda me shefat e Grupeve Parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, për ta rrëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
AAK-ja ka iniciuar një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti dhe për këtë, Tahiri shprehet se deputetët opozitarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre që t’i vënë nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvendin e Kosovës.
“AAK-ja ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, gjate këtyre dy viteve. Iu kemi thënë ‘jo’ ligjeve dhe ‘po’ ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare, në fakt marrëveshjes me Serbinë, planit franko-gjerman”, tha ai para gazetarëve.“Ne kemi ngritur një mocion se mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Ne kemi qenë shumë të qartë që nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë, ne masat i bëjmë në Kuvend. Platformën e debatimit publik, adresimit të temave, ne e shohim këtu ku e kemi mandatin. Përderisa, në aspektin e bojkotimit, ne kemi marrë një vendim, vendim i cili do të reflektojë në komisione, kryesi e seancë”, shtoi ai.
Tahiri u shpreh i bindur se një shumicë shqiptare dhe e pakicave në Kuvendin e Kosovës, pa Listën Serbe, është e gatshme ta rrëzojë Qeverinë Kurti nga pushteti.
“Rruga është që partitë opozitare, kam biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmërinë t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellim një vendim në Kuvend. Unë jam i bindur se një shumicë shqiptare dhe e pakicave, pa Listën Serpska, është e gatshme që t’ia japë verdiktin e merituar kësaj qeverie, që e dobësojë Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe e varfërojë skajshmërish Kosovën në rrafshin e brendshëm”, përfundoi Tahiri.