Me termin “idiotë të dobishëm”, gazeta britanike The Economist përshkruan qeveritë dhe individët që për arsye të ndryshme, por kryesisht për interesa personale, promovojnë narrativët e Putinit në Perëndim dhe i shkaktojnë dëm Ukrainës të sulmuar nga Moska.
Disa vende të Bashkimit Evropian ose kandidatë për t’u anëtarësuar në union po e ndihmojnë presidentin rus Vladimir Putin, siç është Serbia, e cila nuk e fsheh afërsinë me Moskën dhe është mbështetëse e Rusisë.
Mes anëtarëve të BE-së, gazeta është e para që përmend Hungarinë, kryeministri i së cilës është mbështetësi më i shquar i Putinit, sepse Viktor Orban vazhdimisht kritikon Perëndimin për ndihmën e Ukrainës, por ende importon naftë ruse.
Në vend të dytë, është Austria, e cila bën thirrje për neutralitet, pretendon të jetë një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ofron shumë pak ndihmë për Ukrainën, shkëmbimi i tregtisë së jashtme të së cilës me Rusinë ka lulëzuar kohët e fundit.
Një tjetër anëtare e BE-së, Greqia u pajtua t’i vendoste sanksione Rusisë, por refuzoi të kufizonte transportin e naftës ruse, e cila është shumë fitimprurëse për kompanitë greke.
Si joanëtare e BE-së, Serbia as që nuk përpiqet të fsheh mundësinë fitimprurëse që i ofron Rusia për të anashkaluar sanksionet.
Gazeta tregon se në Evropë partitë ekstremiste, shpesh janë të bashkuara në kërkesën për rivendosjen e paqes në Ukrainë, “në mënyrë që agresioni rus të shpërblehet me territoret e pushtuara”.
Sipas këtyre partive, NATO-ja kishte provokuar sulmin e Rusisë, se Ukraina është një krijesë artificiale që i përket Rusisë dhe se SHBA-ja qëllimisht po i hedh benzinë zjarrit për të shitur armë.
Në fund, gazeta thekson se liderja e së djathtës ekstreme në Francë, Marie Le Pen, zëvendëspresidenti i qeverisë italiane Matteo Salvini, liderët e Alternativës për Gjermaninë, si dhe Partia e Majtë gjermane janë unike në qëndrimet e tilla. /Telegrafi