Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot takimin e parë konsulutes me opinionistë e gazetarë.
Ky takim u mbajtë si pjesë e iniciativës së LDK-së për debat të gjerë nacional mbi gjendjen dramatike në vend.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dhënë detaje rreth këtij takimi.
Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut pa ndërhyrje:
Sot, në Prishtinë, mbajtëm takimin e parë konsultues me opinionistë e gazetarë, si pjesë e iniciativës sonë për debat të gjerë nacional mbi gjendjen dramatike në vend.
Vlerësojmë dhe çmojmë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike – edhe kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vlerësojmë, mbi të gjitha, që Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë, që rrugëtimin tonë euroatlantik e kthen në binarë.
Këtë mendim duhet ta ndërtojmë sot, në çdo pozicion tonin, partiak apo jopartiak pa dallim; dhe këtij mendimi duhet t’i kontribuojnë të gjithë.
Mes një diskutimi të hapur e shumë përmbajtësor, dëgjuam të gjitha pikëpamjet e pjesëmarrësve mbi gjendjen aktuale politike në vend. Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë.
Falënderoj gjithë pjesëmarrësit për përgjigje pozitive në ftesën tonë. E vlerësojmë si kontribut. E çmojmë secilin mendim.
Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë.