Kryeministri holandez: BE s’duhet ta drejtojë gishtin te fajtori, kjo s’e ndihmon situatën

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se Bashkimi Europian nuk duhet të bëjë me gisht për ta gjetur fajtorin mes Kosovës dhe Serbisë për tensionimin e situatës në veri.

Në pyetjen se a është e drejtë qasja e BE-së karshi Kosovës dhe se çfarë qëndrime kanë mbajtur Holanda dhe Luksemburgu për masat ndëshkuese, Rutte tha se blloku duhet të ndihmojë, në vend që të gjejë fajtorin, raporton Gazeta Express.

“Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin te fajtori, te Kosova ose Serbia, sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne dëshirojmë të jemi ndihmues”, tha ai.

Kryeministri holandez tha se zgjidhja është aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars.

Ai tha se të dyja palët ankohen se pala tjetër nuk e zbaton marrëveshjen, por shtoi se duhet implementuar çdo gjë dhe se duhet të punohet me një qasje “hap pas hapi”.

“Atë çfarë po themi është, keni bërë premtime të dyja palët – e di që ka shumë çështje të ndjeshme në këtë marrëdhënie, por besoj që çështja më kryesore dhe më e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit dhe në momentin që BE fillon të gjejë fajtorë dhe të drejtojë gishtin, në momentin që e bëjmë këtë, e humbim pozicionin që të ndihmojmë”, tha Rutte.

“Unë jam historian dhe e dua historinë, dhe dëshiroj t’i shoh pse gjërat janë ashtu siç janë. Nganjëherë është shumë e rëndësishme ta shohim edhe të ardhmen”, tha ai ndër tjerash.

Ndërsa kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel iu përgjigj pyetjes me një fjali.

“Ju dëshironi përgjigjen që të themi se serbët janë të këqinj, ndërsa në Serbi dëshirojnë të themi se kosovarët janë të këqinj”, tha ai.