Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka renditur marrëveshjet ndërkombëtare të cilat tha se opozita “po i mban të bllokuara”, si kundërpërgjigje ndaj reagimeve të partive jashtë pushtetit për masat e para ndëshkuese që Bashkimi Europian i mori ndaj Kosovës.
Murati tha se partitë opozitare po ankohen që Kosova mbeti jashtë programit financiues të BE-së me vlerë 7.5 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, por shtoi se ato i kanë bllokuar “150 milionë euro”.
“Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme. Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita”, shkroi Murati, duke i renditur marrëveshjet që presin miratimin në Kuvend.
“25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH. 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, ka shktuar Murati.
Nga Brukseli konfirmuan të shtunën për Gazetën Express se më 28 qershor e kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimin e MSA-së, suspendimin e projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimin e fondeve të IPA-s, pezullimin e takimeve bilaterale e të tjera.