Qe një muaj, Lulzim Hetemi nuk ka dalë nga objekti i komunës së Leposaviqit. Hyrja e tij në këtë ndërtesë ka shkaktuar protesta të dhunshme nga qytetarët serbë atje.
Mirëpo, largimin e tij nga zyra, jo rrallë herë e kanë kërkuar bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa, në anën tjetër, kryeministri Kurti e ka falënderuar Hetemin për “qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”.
Pasi kreu procedurën e betimit, kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nën përcjelljen e Policisë ka hyrë në objektin e komunës më 29 maj dhe prej asaj dite nuk ka dalë më. Hyrja e tij dhe e kryetarëve tjerë në objekte komunale ka shkaktuar protesta të dhunshme.
Pas tensioneve të krijuara në Veri të vendit, bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga kryetarët e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, që detyrën e tyre ta ushtrojnë nga zyre alternative.
Ilir Peci i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri i Zubin Potokut, që ishin kandidatë nga PDK, ia përgjigjën kërkesave të tyre, mirëpo njëjtë nuk veproi kandidati i Vetëvendosjes që doli fitues në Leposaviq. Hetemi prej 29 majit është mbylluar në zyrën e tij në objektin e komunës.
Largimi i Hetemit nga komuna është kërkuar disa herë. Dje emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Euroneës ka thënë se kreu i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi duhet të ndjek shembullin e kryetarëve të tjerë dhe të punojë nga objekte alternative.
Lajçak ka thënë se kryetarët merren vetëm me disa çështje administrative por jo edhe politike, meqë sipas tij s’kanë marrë mandat nga serbët për një gjë të tillë.
“De-përshkallëzimi do të thotë që kryetarët e komunave të tërhiqen nga ndërtesat ku ndodhen aktualisht, para së gjithash në Leposaviq. Dhe të punojnë nga disa ambiente të tjera, siç bëjnë tashmë dy kryetarët tjerë. Do të thotë se merren me disa çështje administrative, por jo politike. Për këtë ata nuk kanë marrë mandat nga votuesit e komunitetit serb”, ka thënë Lajçak.
Mirëpo, në anën tjetër, Kurti dy herë ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin Hetemi. Herën e parë ai e ka falënderuar atë për “qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”.
“Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998).E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, kishte thënë ai.
Ndërkaq, herën e dytë, sipas Kurtit, ai dhe Hetemi ndanin të njëjtin shqetësim, se mos njëri prej tyre po lëshonte pe.
“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, deklaroi Kurti.
Zgjedhje me “peticion” apo “vetëtërheqje”
Në përgjigjen që Borrell ia ktheu Kurtit thuhej se mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë është në kompetencën e kryetarëve. Borell përdori një fjalë më të butë se dorëheqja që në shqip mund të përkthehet si vetëtërheqje nga detyra.
“Ne gjithashtu kemi kërkuar që zgjedhjet e parakohshme në katër komunat të mbahen sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim nga serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe presidentit Vuçiq ia kemi bërë këtë të qartë këtë kërkesë. Sipas legjislacionit të Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ku mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë që është vetëtërheqja e kryetarëve”, thuhet në përgjigjen e Borrellit.
Ndërkaq, Kurti dhe Osmani janë deklaruar pro zgjedhjeve të reja përmes peticionit.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se kryetarët në Veri nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr, derisa ka shtuar se askush nuk ka “të drejtë” ta kërkojë dorëheqjen e tyre.
Ai tha se peticioni është mundësi “më e drejtë, më e arsyeshme dhe më e dobishme”.
Ndërsa, presidentja Osmani në një intervistë për Reuters, ka thënë se zgjedhjet e reja mund të shpallen nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.
Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo për Reuters më 7 qershor.
Rastin e Hetemit e ka komentuar dje edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në një intervistë për “Euronews Albania”, ka thënë se këta kryetarë po rrinë në komunë si Oso Kuka, teksa tha se kanë ardhur në pushtet me vetëm 1% të votave.
“Çdo të thotë kjo që të mbajmë akoma disa kryetarë komunash të cilët janë zgjedhur me 1% të votave, që rrinë të mbyllur si Oso Kuka. Njëri rri atje me policë dhe është i burgosur faktikisht, sepse s del dot as të marr ajër. E të tjerët rrinë diku ku s’dihet ku janë dhe në ndërkohë që në tavolinë është plani franko-gjerman”, tha Rama.