Florian Bieber, studiues i Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, në një intervistë për gazetën gjermane “Tagesschau”, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “është kokëfortë”, por nuk mund të shantazhohet nga Perëndimi si paraardhësit e tij, meqë nuk është i korruptuar.
“Kurti e filloi karrierën e tij duke thënë se Kosova duhet të marrë vendimet e saj dhe të mos dëgjojë shumë partnerët e saj perëndimor. Kjo kokëfortësi është një synim i qartë i politikës së tij”, tha ai.
“Por duhet të keni parasysh gjithashtu se paraardhësit e tij kishin më shumë gjasa të dëgjonin Perëndimin, sepse ata vetë ishin të korruptuar dhe të përfshirë në krime lufte dhe për këtë arsye ishin më të lehtë për t’u shantazhuar. Kurti thjesht nuk mund të shantazhohet. Dhe duhet të pyesni veten: a është ndoshta edhe politika perëndimore pjesë e problemit?”.
Bieber mendon Bashkimi Evropian po përpiqet të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, por “taktika e tyre” për ta larguar Serbinë nga ndikimi rus nuk po funksionon.
“Me sa duket ata po përpiqen ta joshin Vuçiç-in, duke e larguar nga Putini, duke shpresuar se Serbia madje mund t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”, tha ai.
“Roli aktual i BE-së është shumë i vështirë, sepse në fakt ka shumë pak besueshmëri. Ajo ka vënë shumë baste për Serbinë javët e fundit. Të krijohet përshtypja se Bashkimi Evropian është mjaft jokritik ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç”.
Ai thekson se politika e ShBA-së dhe BE-së është relativisht e qartë, derisa shton se ata vërtet duan të përpiqen të izolojnë Putinin në Ballkan dhe ta sjellin Vuçiç-in në anën perëndimore.
“Vuçiç e përdor këtë në mënyrë shumë specifike. Ai po përballet me protestat më të mëdha masive që kur mori detyrën. Ka shumë zëra kritikë në Serbi në lidhje me politikat e tij. Ai e përdor këtë mbështetje perëndimore. Mendoj se nuk ka gjasa që ai të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Putinin. Po e përdor këtë lojë mes fuqive të mëdha, siç e ka bërë prej shumë vitesh, për të rritur manovrimin e vet”.
Bieber potencon se BE-ja ka humbur argumentin më të rëndësishëm për të bindur të dy shtetet për të bërë kompromise.
“Problemi është se BE-ja nuk ka më besueshmërinë që i nevojitet për të sjellë realisht një zgjidhje të negociuar. Sepse në fillim të procesit ishte premtimi për anëtarësim më të shpejtë në BE. Kjo do të thotë se nëse të dyja shtetet bien dakord për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia dhe Kosova mund të anëtarësohen më shpejt në BE”./AlbanianPost