Humbja e dy qytetarëve të Pejës nga vërshimet e mëdha të shkaktuara mbrëmjen e ditës së djeshme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka tronditur vendin. Dy viktimat nënë e bir, Dion dhe Mirsada Ademaj nuk arritën të mbijetojnë dhe vdiqën tragjikisht.
Pas vdekjes së tyre, detaje nga momenti tragjik po dalin në dritë.
Axha i 5-vjeçarit, Albert Ademaj ka deklaruar se përkundër thirrjeve te institucionet, nuk hasën në ndihmë. Madje ai tha se gruan e vëllait e kishte nxjerrë vet, teksa shtoi se në vendin ku e gjeti i kishin thënë se nuk ka asgjë aty.
“I ka thirr kryetarja e lagjes, Policinë, ambulancën, ndihmën, por veç dy policë kanë qenë naltë, as nuk është ardhë ambulanca. Djalin vet e kemi çu në spital, ja kemi dhënë ndihmën e parë, jemi munduar. Nusen nuk na ka ndihmuar askush, për me nxjerrë, e kam nxjerr vet me një shok timin. Ata kanë hallakat qaty e më kanë thënë nuk ka asgjë në podrum. Ne kemi hy vetë për te dytën herë dhe e kam gjetë aty…Një polic e ka thy krahun dhe ambulanca është ardhë për të dhe jo me marrë gjenazen”, tha Ademaj për KosovaPress.