Veturat zyrtare të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, shpesh herë përfshihen në aksidente në trafik. Kështu ndodhi edhe sot me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili është përfshirë në një aksident trafiku në udhëkryqin Llabjan – Artanë, raporton Gazeta Sinjali.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, ku Peci i cili po drejtonte veturën zyrtare, është përplasur me një veturë në të cilën ndodheshin pesë persona.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur pasi vetura civile nuk ka respektuar të drejtën e përparësisë së kalimit dhe si pasojë ka goditur veturën e Ministrisë, e cila po lëvizte në relacionin e kundërt.
Si pasojë e aksidentit shtatë persona, përfshirë Pecin dhe pasagjerin që ndodhej në veturë me të, janë dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një nga të lënduarit ka marrë lëndime më të rënda trupore dhe pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se ka pësuar frakturë në dorë. Ndërsa Peci dhe pasagjeri i tij janë liruar për në shtëpi.
Të lënduarit e tjerë, janë dërguar në spitalin e Graçanicës, ku njëra nga ta është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm.
Sinjali ka provuar që të marrë një prononcim nga ministri Peci, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në mesazhet e redaksisë, teksa telefoni i tij ka rezultuar pa qasje.