“Stenta 1”, Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj Ferid Aganit dhe Gani Shabanit

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Ferid Aganit dhe Gani Shabanit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për rastin e njohur si “Stenta 1”.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 12 qershor 2023, ku thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret.

Gjithashtu Apeli ka vlerësuar se pretendimet e prokurorit se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale, janë të pa qëndrueshme ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar se prokuroria ka dështuar të dëshmoj se cilat kanë qenë detyrat, autorizimet dhe përgjegjësit e të akuzuarit Ferid Aganit në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë dhe të akuzuarit Gani Shabanit, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Tutje, në aktgjykim thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka përcaktuar e as dëshmuar para gjykatës se si apo në çfarë mënyre të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat dispozita apo akte ligjore nuk i kanë zbatuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme, i aprovon edhe gjykata e shkallës së dytë.

“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e prokurorit karakterizohet me përshkrime abstrakte dhe pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve, andaj, mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e shkallës se parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4, lidhur me nenin 31 të KPRK”, thuhet tutje në vendim.

Në vendimin e Apelit thuhet se qartazi nga provat e administruara nuk kanë rezultuar si të provuara tiparet e veprës penale të cituara më lartë dhe as që kanë qenë të përshkruara veprimet inkriminuese në dispozitiv që do të përbënin figurën e veprës penale për të cilën janë akuzuar të akuzuarit, ashtu që nuk ka mundur të ketë alternativë tjetër të aplikimit të ligjit penal.

“Tutje kolegji i Gjykatës së Apelit është i bindur se gjykata e shkalles së parë ka arritur në përfundimin e arsyeshëm, se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se të akuzuarit F.A. dhe G.Sh. kanë kaluar kompetencat e tyre apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, andaj, me të drejtë të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprën për të cilën janë akuzuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, më 1 gusht 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues për Ferid Aganin, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin, ish-sekretar i kësaj ministrie, të akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Ndërkaq, më 12 qershor 2023 Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe përgjigjet e mbrojtjes në këtë ankesë.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare më 29 korrik 2022, prokurorja Florie Shamolli ndryshoi dispozitivin e aktakuzës dhe këtë e bëri konform nenit 350 të Kodit të Procedurës Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani u gjykuan veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani e bëri në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marrë njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në këtë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.