Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Gjermani, ka formuar sot edhe nëndegën e saj në München.
Nëndega e AAK-së në München ka zgjedhur edhe strukturën e saj udhëheqëse për mandatin e ardhshëm: Dardan Nitaj – kryetar, Nexhat Azemi – nënkryetar, Petrit Foniqi – nënkryetar, Valon Mavraj – sekretar, Afrim Bytyqi – sekretar.
Në kuvendin zgjedhor morën pjesë zyrtari i lartë i AAK-së, Lahi Brahimaj, kryetari i AAK-së për Gjermani, Ukë Blakaj dhe kryetari i Degës së AAK-së për Bavari, Selim Hoti, si dhe aktivistë të tjerë të AAK-së.
Për organizimin e AAK-së dhe gjendjen politike në Kosovë, foli Lahi Brahimaj. Brahimaj tha se gjendja politike në veri duhet të normalizohet në bashkëpunim të plotë me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së për Gjermani, Ukë Blakaj, tha se si rezultat i angazhimit të përbashkët, mbështetur nga kryetari Ramush Haradinaj, nga Lahi Brahimaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarët e kryesisë, si dhe kryetarët e komunave, AAK-ja për një periudhë të shkurtër kohore ka arritur të shtrihet e të zgjerohet në shumë qytete të Gjermanisë.
Po ashtu, Blakaj tha se duke besuar në vizionin politik të kryetarit Ramush Haradinaj, lider i dëshmuar në luftë dhe në paqe, AAK-së në Gjermani, i janë bashkuar një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve, në mesin e tyre njerëz të suksesshëm në biznes e në fusha të tjera, disa nga të cilët tashmë kanë investuar në Kosovë, e disa të tjerë kanë projekte konkrete për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.