Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të nacionalitetit serb, nga fshati Vitomericë e Pejës, për krime lufte ndaj civilëve në Ozdrim.
“Është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj., i nacionalitetit serb, nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në fshatin Ozdrim të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, më 7 maj 1999 fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim e pastaj filluan një ofensivë ushtarako-policore duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë 19 civilë shqiptarë.
“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen e veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj prokurorie.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
I pandehuri gjendet në paraburgim deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.