Sërish protestë në Graçanicë – kërkohet lirimi i serbëve të arrestuar

Për të tretën ditë me radhë, në Graçanicë po protestohet në kundërshtim të arrestimit të Dragisha Milenkoviq, për të cilin ekziston dyshim i arsyeshëm se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Para stacionit policor disa serbë janë mbledhur me kërkesën për lirimin e tij.

Ndaj Milenkoviq, autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, si gardian i burgut në Prishtinë ka ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike, ndaj të burgosurve shqiptarë.

Ai është arrestuar të mërkurën në zonën e Graçanicës, nga Policia e Kosovës, ndërsa një ditë më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

Tutje bëhet e ditur se pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme.

Gjithashtu theksohet se pas kësaj, në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke maltretuar e shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë.