Eurodeputeti holandez dhe njëherit raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion maksimal Serbisë për lirimin e tre policëve kosovarë.
“Ka kaluar më shumë se një javë nga kidnapimi i tre policëve të Kosovës. Më shumë se e papranueshme. Nevojitet urgjentisht presion maksimal i koordinuar nga BE-ja dhe partnerët për t’i kthyer ata tek familjet e tyre sa më shpejt. Asnjë pazar, vetëm dinjiteti i tyre dhe kthimi i menjëhershëm.
Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendojnë se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë në territorin serb.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit, për më tepër, ka thënë se kidnapimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën./AlbanianPost