Presidentja Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional, ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Këtë takim e ka refuzuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Presidentja ka shprehur keqardhje që këto dy parti opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës”, shkruan në komunikatën e Presidencës.
Sipas presidentes, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.
Pavarësisht kësaj, Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.