Kurti iu drejtohet serbëve: Unë s’dua luftë, Vuçiq duket sikur është gati për ta humbur edhe një tjetër

Me një video të gjatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar serbëve të Kosovës, për t’ua shpjeguar se si është situata, cilat janë pikëpamjet e tij, përse rrodhen gjërat si rrodhen, si do të donte ai të ishte dhe cilat janë planet e përgjithshme për Veriun.

Duke folur për zgjedhjet, Kurti tha se ndërkombëtarët i kishin premtuar që do ta fusnin Listën Serbe në zgjedhje, nëse ai do pranonte Aneksin e Ohrit, por diçka e tillë s’ndodhi.

Pastaj, kishte shpresuar se të paktën kryetar i Leposaviqi-it do të bëhej Aleksandër Jabllanoviç, por ai u ble nga dikush që i dha 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd.

“Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë presion i tepërt apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviçin të thoshte se nuk do të gjuante penalltinë”, tha Kurti.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se do të marrë pjesë Lista Srpska. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse pranojmë aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”.

Ai ka theksuar se duhet një takim urgjent në Bruksel, duke kërkuar që të zbatohet marrëveshja e Brukselit me Serbinë e arritur më 27 shkurt.

“Ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. E kam të qartë tani që presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet duke thënë po, për pranimin e asaj marrëveshjeje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës”.

Kurti ka potencuar se sulmet dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen.

“Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk e toleron kulturën e dhunuesve. Aleksandër Vuçiç sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur një luftë tjetër. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam një socialdemokrat”.

Kreu i qeverisë kosovare ka treguar se “kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë rob lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë”, derisa ka shtuar se Vuçiç duket se ka vetëm kujtime të bukura nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviçit, dhe për dallim nga sot, “ai kishte pushtet edhe pa detyrime sepse gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviçi”.

Kurti: Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, s’ka zgjedhje të ndershme

Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Kurti ka theksuar se pa një fushatë të ndershme, “nuk ka zgjedhje demokratike”.

“Për këtë duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë e hapur, e lirë, parazgjedhore në 4 komuna në veri. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

Kryeqeveritari kosovar ka shtuar se qeveria ka mbyllur 16 rrugë ilegale në veri dhe ka shkatërruar 83 grupe kriminale.

“Kosova është shteti i shkallës më të lartë të demokracisë në rajonin tonë. Sipas institucioneve dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, si Transparency International, World Justice Project, World Press Freedom Index “Reporters Without Borders”, Freedom House dhe V-Dem, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket luftës kundër korrupsionit”./AlbanianPost