Serbia është duke i mbajtur në paraburgim tre policët e Kosovës të cilat forcat serbe i kanë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, siç ka thënë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, derisa ata kishin qenë duke ngrënë drekën diku në afërsi të vijës kufitare me Serbinë.
Gërvalla në një konferencë për media ka thënë se gardianët janë duke i trajtuar mirë, megjithatë sipas informatave që ia ka thënë shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ata kanë pasur ankesa për sasinë e bukës dhe për gjellë jo-cilësore.
Ndërkohë presidenti serb, Aleksander Vucic pas takimit me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, ka folur lidhur me trajtimin që po iu bëhet 3 policëve të Kosovës në burg. Siç pretendon kreu i shtetit serb, atyre iu është dhënë të pinë “coca-cola” e të hanë kek e rrush.
“Atje pinë Coca-Cola, hanë kek dhe rrush, hanë dhe pinë mirë dhe nuk u mungon asgjë dhe ne jemi zuzar dhe të egër, sepse nëse nuk jemi nuk ka kuptim”, ka thënë Vuçiq.
Kreu i shtetit serb ka folur edhe lidhur me kërkesën e kreyministrit hungarez, që të shqyrtojë lirimin e 3 policëve të Kosovës. Vuçiq ka thënë se “do të shqyrtohet me kujdes dhe dashamirësi çdo propozim i Orbanit”.