Ligji në fazën finale, Gjermania ua lehtëson punën azilkërkuesve të kualifikuar

Ligji për imigrimin e punonjësve të kualifikuar pritet të vendoset këtë javë në axhendën e Bundestagut.

Grupet parlamentare të të SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së kanë rënë dakord për të nisur diskutimet dhe për të bërë ndryshimet e fundit në këtë ligj para se ta kalojnë në miratim.

Një nga ndryshimet kryesore, sipas Deutsche Welle, pritet të jetë lejimi i azilkërkuesve që të qëndrojnë në Gjermani për qëllime pune. Ata duhet të jenë në gjendje që të hyjnë në tregun e punës nëse do të kenë një ofertë pune.

Lehtësirat ligjore që pritet të kalojnë për miratim janë mirëpritur nga sipërmarrja e lirë, që tashmë pret më shumë njerëz për t’I punësuar pasi evitohen kostot dhe burokracitë.

Projektligji u bë publik më datë 29 mars të vitit 2023. Me ndryshimin e ligjit për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, koalicioni tripartiak në pushtet në Gjermani kërkon të lehtësojë ndjeshëm imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Në të ardhmen, të huajt nga vendet jo anëtare të BE-së mund të shkojnë në Gjermani për të kërkuar punë me një “kartë shansi” bazuar në një sistem pikësh.

Ndërkohë ata që përfitojnë më shumë nga ky projektligji do jenë profesionistët me diplomë dhe përvojë pune të cilët mund të punojnë në Gjermani pa pasur nevojë që t’u njihet diploma nga ky shtet. Vitet e fundit, drejt Gjermanisë kanë emigruar dhe një numër i madh shqiptarësh të cilët janë bërë pjesë e sistemit mjekësor të këtij vendi por dhe që punojnë me kontrata pune në sektor të ndryshëm.

Top Channel