Presidentja Osmani qorton BE’në: Qe dy muaj Serbia shkel marrëveshjen, asnjëherë s’keni thënë “Po, është shkelje”

Përqendrimi i fundit i Perëndimit kah Kosova është i parsyetueshëm, u ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gazetarëve në Berlin, siç e citoi portali evropian “Euractiv”. Është Serbia, sipas saj, ajo që duhet të bartë barrën e fajit “me shkeljet e saj të vazhdueshme” të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ka pasur shkelje të vazhdueshme nga Serbia në këto dy muaj, që nga marrëveshja e 18 marsit; dhe asnjëherë s’kemi dëgjuar nga ndonjë lloj deklarate nga Bashkimi Evropian të thotë që, po, kjo është shkelje e marrëveshjes”, u ka thënë Osmani gazetarëve.

Ajo vazhdon të fajësojë Serbinë për tensionet. “Vuçiq iu kthye strategjive të tij të vjetra, që është krijimi i krizave të një pas njëshme, për të bllokuar suksesin në zbatim të marrëveshjes”.

Siç e citon “Euractiv”, Osmani ka thënë se “kompromisi me Serbinë ishte pilulë e idhët për Kosovën që ta gëlltiste”.

“Megjithatë, ne u besuam aleatëve dhe partnerëve tanë që marrëveshja do të ndihmojë Kosovës dhe Serbinë së paku për të shtruar rrugën drejt njohjes së ndërsjellë”, ka thënë ajo./Nacionale