Dogana e Kosovës njofton se pas pranimit të informatave se në qytetin e Gjakovës, respektivisht në një njësi biznesi, tregtohet cigare pa banderola, njësitë relevante kanë organizuar një kontroll.
Sipas njoftimit, me këtë rast është gjetur një sasi e konsiderueshme e cigareve, cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të duhanit, për të cilat personi përgjegjës – pala nuk posedonte dokumente dhe si të tilla janë kontrabanduar në Kosovë.
Po ashtu, zyrtarët doganorë kanë organizuar një plan operativ me qëllim të parandalimit të kontrabandimit të mallrave dhe me këtë rast është zbuluar dhe parandaluar një rast tentim kontrabandimi i një makine hidraulike për prerjen e drunjve.
“Rasti i tretë është zbuluar në magjistralen Ferizaj – Kaçanik në kuadër të Planit të përbashkët operativ të Doganës, ATK-së dhe Policisë së Kosovës, ku është arritur të identifikohet një veturë, e cila ishte duke transportuar mall me origjinë të huaj e për të cilën pala nuk posedonte dokumentacion që e dëshmon se ky mall ka hyrë përmes rrugëve ilegale në Kosovë (mall i kontrabanduar)”, njofton Dogana.
Të gjitha mallrat janë konfiskuar, si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse ndaj personave përgjegjës.