Njohësi i zhvillimeve politike dhe historiani, Florian Bieber, në një intervistë për profil.at ka folur lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, specifikisht në veri të vendit dhe për qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë pas gjithë tensioneve.
Bieber thotë se Perëndimi duket që e kërkon fajtorin në Prishtinë në mënyrë ekskluzive. Sipas tij, Washingtoni dhe Brukseli po ushtrojnë presion mbi Kosovën, pasi mendojnë se mund ta përballoj, por thotë se një gjë e tillë nuk po bëhet edhe me Serbinë.
Historiani Bieber thotë se një gjë e tillë krijon një imazh fatal të njëanshmërisë për Perëndimin.
“Perëndimi ushtron presion mbi Kosovën sepse mendon se mund ta përballojë atë. Kjo nuk është bërë në Serbi. Kjo krijon një imazh fatal të njëanshmërisë”, ka thënë Bieber.
Duke folur për rastin e tre policëve, Bieber thotë se do të ishte një shkelje e rëndë e Rezolutës së OKB-së nëse vërtetohet se Serbia i ka rrëmbyer ata, e që thotë se ekziston një dyshim i tillë.