Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve të hënën, ka thënë se vendimin për të shkuar në takim ose jo me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do ta marrë vetëm atëherë kur ta kuptoj gjendjen e policëve të rrëmbyer.
Ai ka shtuar se do të presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë dhe tek atëherë do të marrë vendim nëse do të shkojë në takimin në Bruksel.
“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”, tha Kurti.
Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.
“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën teksa përkeqësohet, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj të dy palët – Kosovën dhe Serbinë – për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell të enjten e 15 qershorit.
Megjithatë, thirrjes së kryediplomatit evropian nuk i janë përgjigjur pozitivisht as kryeministri Kurti e as presidenti Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – ndërsa kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit, me akuza për nxitje të konfliktit në veri të Kosovës./AlbanianPost