Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme parashihet të jetë me mot stabil, me diell dhe vapë.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë në 33 gradë Celsius, të premten.
Kjo situatë meteorologjike vie si rezultat i masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore, njofton Instituti.
Tutje Instituti bënë të ditur se gjatë gjithë javës duhet kujdes që në orët e pikut nga ora 11-17 të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit, sidomos moshat e shtyera dhe personat që kanë probleme me sëmundje kronike (tension, frymëmarrje, sëmundje kardiologjike etj.)
Moti sipas IHMK-së do të jetë si në vijim:
E hënë- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-28 gradë Celsius.
E martë – Mot kryesisht i ngjashëm por me rritje të lehta të vlerave ekstreme, minimalet do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.
E mërkurë – Mot me diell dhe rritje të lehta të temperaturave, si atyre minimale, ashtu dhe ato maksimalet. Në orët e para të ditës në shumë zona parashihet të formohet mjegulla e radiacionit, por do të jetë e paqëndrueshme, pasi gjatë ditës do të jenë prezent rrezet e diellit. Mjegull parashihet të ketë pothuaj çdo ditë në orët e para të ditës.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.
E enjte – Mot kryesisht me diell dhe me vapë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-15gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-28gradë Celsius.
Të premten –Mot kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius.
Gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare. Ndërsa të mërkurën sipas institutit do të fillojë stina e verës astronomike në orën 16:57 min dhe do të zgjasë deri më 23 shtator në orën 8:49 min.
Po në këtë ditë, 21.06.2023 do të ndodhë solstici veror, ku do të jetë dita më e gjatë e vitit dhe nata më e shkurtër.