Trendi i rritjes së eksporteve të Kosovës gjatë gjithë vitit 2022 krahasuar me vitet e kaluara ka qenë një tregues mjaft pozitiv për Kosovën, të cilin kryeministri Kurti nuk ka hezituar ta përmend vazhdimisht.
Këtë prirje pozitive ai ia atribuonte qeverisjes së tij, duke e përmendur pothuajse në çdo fjalim. Por rritja e eksporteve po përballet me një trend negativ në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak dhe… është interesante të kthehemi paksa pas në kohë për të kujtuar retorikën e kryeministrit Kurti për të “marrë kredi” për rritjen e eksporteve. Kurti nxitonte të përmendtë në çdo paraqitje sukseset e eksporteve në çdo rast dhe para çdo audienca që ai kishte, por, çka na thonë shifrat tani?
Ndonëse eksporti i Kosovës ka përjetuar rritje të vazhdueshme për disa dekada, pandemia Covid-19 dhe lufta në Ukrainë kanë ngadalësuar hapat e bizneseve. Rritja e PBB-së së Kosovës u ngadalësua në 4.2 për qind në vitin 2022 pas një performancë të jashtëzakonshme prej pothuajse 11 për qind në 2021.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i vendit gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën mbi 5.6 miliardë euro, ndërsa eksporti ka shënuar mbi 860 milionë euro. Krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezulton që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord.
Megjithatë,të dhënat e fundit tregojnë qartësisht se eksporti i Kosovës ka pësuar një rënie në vitin 2023. Derisa ishte gati të merrte meritat për suksesin e rritjes së eksporteve kur situata ishte e favorshme, kryeministri Kurti nuk ka thënë ndonjë fjalë për ngadalësimin e eksportit përgjatë këtij viti.
Por Kurti ishte i zëshëm për eksportet kur ato ishin në një trend pozitiv. “Kemi pasur rritje në investimet kapitale 10,3 për qind, i kemi shtuar 25,000 vende të reja në tregun e punës dhe kemi pasur rritje të eksporteve 83, 6 për qind përkundër bazës së ulët, eksportet janë rritur 83,6 për qind, procesimi i lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe sektorit të ICT”, thoshte Kurti në njërën nga shumë deklarime të tilla gjatë vitit 2022.
Nëse shikojmë të dhënat e importit në 5 vitet e fundit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, eksporti ka shënuar rritje eksponenciale që nga viti 2021. Kurti vazhdimisht i shfrytëzonte këto shifra për të pretenduar se Qeveria e tij “ka ngritur imazhin e Republikës së Kosovës.”
“Në dy vitet e fundit kemi avancuar 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit, sipas organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Transparency International”, për herë të dytë jemi të parët në Ballkan, sa i përket sundimit të ligjit, sipas “World Justice Project” dhe gjithashtu kemi avansuar 17 vende sa i përket lirisë së medias. Rritje ekonomike katër për qind pasi që të hiqet inflacioni, eksportet janë rritur për 23 për qind, të hyrat tatimore 22 për qind, buxheti për 17 për qind dhe investimet e huaja për 44 për qind”, është shprehur Kurti.
Megjithatë, në total, eksporti i Kosovës në katër muajt e parë të vitit 2023 ka shënuar trend negativ krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë vitit 2022, në periudhën kohore janar-prill, Kosova kishte eksportuar mallra në vlerë 299.073 milionë euro, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të këtij viti, eksporti i Kosovës kapi vlerën e vetëm 284.42 milionë eurove. Krahasuar shifrat, vlera e eksportit del të jetë 12.5 milionë euro më e vogël.
Sipas ASK-së, gjatë muajit prill 2023, Kosova ka shënuar rënie të eksporteve prej 16.9 për qind, ndërsa në mars 7.7 për qind.
“Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion Euro, ndërsa importi 448.2 milion Euro, që është një rënie prej (-16.9%) për eksport, si dhe (-3.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.” – thuhet në raportimin e ASK-së.
Kujtojmë se krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezulton që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord./Flakon Demaku – Nacionale