Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur me tone optimiste për deeskalimin e situatës në veri. Por, kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë shenja se do të pranojë kërkesat e diplomacisë perëndimore për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga komunat veriore.
Derisa Osmani ka thënë se është koha që Kosova të ulet në tavolinë dhe të gjej një zgjidhje të përbashkët me SHBA-në dhe BE-në, Kurti ka deklaruar dje se ende nuk ka vendosur nëse do të shkoi në takimin e ftuar nga Borrelli.
Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, shefja e shtetit ka deklaruar se mospajtimet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në mund të kalohen vetëm duke komunikuar.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”, ka thënë ajo, raporton DW.
Duke komentuar rritjen e tensioneve në mes të dy vendeve, ajo ka thënë se kjo ka ndodhur edhe për shkak të pakënaqësisë me mënyrën se si po ecën dialogu Kosovë-Serbi.
“Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”, është shprehur.
Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë politik me Serbinë.
Një ditë më parë, nga Forumi i Prespës ai ka thënë se do ta njoftoi me kohë BE-në për pjesëmarrjen e tij në takimin e Brukselit.
“Nuk kam vendosur ende, por do ta njoftoj me kohë zotin Borrell, sepse nuk na ka ftuar për sonte por javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se ftesa e Borrellit për takim është e çuditshme.
Sipas tij, Borrell e kishte refuzuar planon e tij për shtensionimin e situatës në veri.
“Kur kërkova unë që të takohemi në Bruksel ai më tha se së pari na duhet shtensionimi. Menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve, zoti Borrell, kërkoi takim të nivelit të lartë. Kur tensionet janë rritur mora ftesën për takimin e nivelit të lartë”, është shprehur Kurti.
Ftesa e Borrellit
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka konfirmuar se javën tjetër do t’i ftojë në takim Kosovën dhe Serbisë për të “menaxhuar krizën”.
Ai ka folur edhe për arrestimin e tre zyrtarëve policorë, duke thënë se janë ende duke tentuar të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.
Para takimit të ministrave të Mbrojtjes, Borrell fillimisht e ka falenderuar KFOR-in për punën e bërë në veri të Kosovës, këto ditë kur ajo pjesë ka qenë shumë e tensionuar.
“Këto ditë, bashkëpunimi, dua të falenderoj KFOR-in për atë çfarë kanë bërë në veri të Kosovës, ka pasur një incident, arrestimi i tre policëve nga Kosova.” – u shpreh ai.
Borell ka deklaruar se është në kontakt me misionin e KFOR-it, dhe të dyja palët për të kuptuar se çfarë solli në arrestimin e tre zyrtarëve policorë kosovarë nga Policia e Serbisë.
“Po tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur jemi në kontakt me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ndodhi, çfarë solli në këtë arrestim.” – deklaroi tutje.
Në fund, Borell konfirmoi se do të ftojë takim mes dy palëve, duke u shprehu si vijon: “Duhet të bëjmë thirrje për qetësi, unë do t’i ftoj të dyja palët për takim të menaxhimit të krizës këtu në Bruksel javën tjetër”.
Situata e sigurisë në veri është përshkallëzuar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat e armatosur serbe në territorin e Kosovës. Autoritet serbe tre policëve kosovar ua kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Kurse, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar lirimin pa kusht të tyre./Nacionale