11-vjeçarja, e cila ishte dhunuar vitin e kaluar nga pesë persona në Prishtinë, dyshohet se është dhunuar prapë tani në strehimoren në të cilën po rehabilitohej nga një e mitur tjetër.
Rrjeti i Grave i Kosovës ka reaguar ndaj dhunimit të 11-vjecares, duke e cilësuar këtë si dështim institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore.
“Dje më 16 qershor, në emisionin “Udhëve” të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, u bë publik edhe një dështim institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, ndaj të miturës 11 vjeçare, e cila ishte e strehuar në strehimoren e sigurisë së lartë, e vetmja strehimore shtetërore nën Ministrinë e Punëve të Brendshme. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësimin e thellë për dështimin institucional në mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore brenda hapësirave të kësaj strehimoreje. Dhunimi i një vajze 11 vjeçare brenda një strehimore të sigurisë së lartë shfaq hapur dështimin dhe neglizhimin institucional. Përveç dështimit të qartë në rehabilitimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, institucioni ngarkon viktimat me vepra penale dhe përsëritjen e traumatizimit”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Sipas RrGK-së, 11-vjeçarja është dhunuar nga një e mitur tjetër e cila po ashtu ndodhej në strehimoren e sigurisë së lartë.
“Përderisa 11-vjeçarja u dhunua në Parkun e Arbërisë nga pesë persona të ndryshëm, e njëjta u dërgua në strehimore për rehabilitim. Gjatë periudhës kur ajo është dashur që të rehabilitohet dhe të marrë ndihmën e nevojshme për të tejkaluar traumat nga dhunimi, pikërisht në institucion rehabilitues ajo dhunohet përsëri. Për më tepër, vajza tjetër që ka qenë e strehuar aty për të njëjtin qëllim të rehabilitimit, ngarkohet me vepër penale të dhunimit. Kjo tregon qartë dështimin institucional për të ofruar siguri të plotë për viktimat e dhunës me bazë gjinore”.
RrGK-ja kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që të shkarkojë menjëherë personat përgjegjës nga strehimorja e sigurisë së lartë dhe të njëjtit të bartin pasojat për veprën penale që ka ndodhur brenda institucionit të tyre. Gjithashtu kërkon nga prokuroria që të hetojë rastin me seriozitet dhe të sigurojë që viktima të marrë shërbimet e nevojshme.