Misioni i KFOR-it tha se nuk ishte në zonën ku tre policë të Kosovës u arrestuan të mërkurën nga trupat serbe.
Në një komunikatë për media, KFOR-i shkroi të enjten se ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e Kosovës dhe të autoriteteve serbe.
“KFOR-i gjithashtu është në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për sundimin e ligjit, EULEX-in. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i tha se po monitoron situatën dhe po vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të dalë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si kidnapim, derisa Këshilli i Sigurisë është mbledhur të enjten në mëngjes. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës po mban seancë për këtë çështje.