Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje lidhur me vrasjen e rëndë në Prishtinë, të mërkurën në orët e mbrëmjes.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në ora 20:00, ndërsa raportohet se i dyshuari deri më tani i panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore.
“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se në një veturë me targa të Republikës së Maqedonisë Veriore, është një person, nga mjeku përgjegjës është konstatuar se personi i cili ishte në veturë është pa shenja jete”, thuhet në raport.
Rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes është hasur një veturë e djegur me targa të Gjermanisë, me të cilën dyshohet se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet.