Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një reagim në rrjetet sociale i ka kërkuara autoriteteve të Kosovës që të vetëpërmbahen dhe të mos bien pre e provokimeve të Serbisë.
Ai ka theksuar se strategjitë “eskalim për të deeskaluar” duhet të marrin fund.
Teksa e cilësoi rrëmbimin e tre policëve si një akt të rëndë, kreu i shtetit kërkoi nga palët të rikthehen në tryezën e bisedimeve për të tejkaluar situatën.
“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës, brenda territorit të Kosovës nga trupat serbe, është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj më forcë këtë akt dhe iu bëj thirrje autoriteteve të Serbisë për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, tha Presidenti.
“Një thirrje vëllazërore iu bëj sërish autoriteteve të Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin e tryezës së bisedimeve është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.