Berisha zbulon ‘sekretin’: Kurti s’më ka folur kurrë pasi u bë kryeministër

Nuk ka pasur as një takim, as një komunikimin me Albin Kurtin. Të paktën, që prej çastit që ky i fundit është bërë Kryeministër i Kosovës.

Kështu ka thënë ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë një interviste të tijën për Euronews Albania, ku ndër çështjet e folura mbi tensionet e fundit në Kosovë, ka qenë edhe raporti i tij me Albin Kurtin.

Sipas Berishës, prej kohës kur Kurti ka marrë drejtimin e Kosovës, ai nuk e ka komunikuar kurrë atë dhe nuk ka pasur asnjë kontakt, e aq më pak takim.

“Në mënyrë absolute Kurti nuk ka ardhur në zyrën time, as nuk kam asnjë komunikim”, ka shpjeguar ai.

Më tej, ka theksuar se ndër herët e para kur e ka takuar, ka qenë në kohën kur për Kosovën artikulohej mendimi i ripërcaktimit të kufijve me Serbinë dhe Kurti pati ardhur në Tiranë për të treguar mbështetje për kundërshtimin që Berisha i pati bërë këtij skenari.

“Erdhën njëri pas tjetrit për t’u solidarizuar me qëndrimin tim, por jo se pata ndonjë lidhje”, vijon ai më tej, duke shtuar se për të, Kosova është dheu i tij dhe duke artikuluar edhe fjalët “unë jam kosovar”.

Mbi herën e fundit që ka kontaktuar me Kurtin, ai tregoi se bëhet fjalë për vite më parë, në kohën kur ishte në opozitë dhe nuk e kishte marrë ende postin e kreut të Qeverisë kosovare.

“Pasi ai u zgjodh kryeministër nuk kam pasur asnjë komunikim. Ky është personi që kam takuar më pak nga politikanët e tjerë të Kosovës. Kam ngrënë një drekë me të e kam takuar dy tre herë dhe kaq”, përmbylli Berisha./AlbanianPost