Serbia gjatë ditës së sotme ka kidnapuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në vendin e quajtur Bare, thellë në brendësi të Republikës së Kosovës.
Por, Beogradi po thotë se të njëjtit janë arrestuar brenda territorit të Serbisë, gjegjësisht në një fshat të Rashkës.
E për këto zhvillime, gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku raporton se Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës, nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, do të mblidhet nesër për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm pas këtyre zhvillimeve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë forca të KFOR-it, por edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se kidnapimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka ardhur si hakmarrje ndaj arrestimit të Millun Milenkoviq – Llune gjatë ditës së djeshme. Ky dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të forcave të Policisë së Kosovës.