Lajm i rëndësishëm për bujqit e fermerët, hapen aplikimet për grantet e vitit 2022

Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci ka njoftuar sot se ka hapur periudhën e aplikimit për grante për vitin 2022, ku investimet në kuadër të këtij program kapin vlerën mbi 26 milionë euro.

“Përmes këtij programi do të përkrahen projektet investive të fermerëve dhe agrobizneseve në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën për media janë dhënë detaje për Masat për të cilat mund të aplikohet.

“Thirrjet për aplikim janë hapur për Masën 1 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”, Masën 3 ”Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, Masën 7 “Diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve”, si dhe për Masën 5 “Përgatitja – zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – qasja LEADER”.”, thuhet tutje në komunikatë.

Detaje tjera nga komunikata:

Periudha e aplikimit për masat e shpallura sot (07 korrik), do të jetë e hapur deri më 08 Gusht 2022, në orën 16.00.

Të gjithë të interesuarit, aplikimin mund ta bëjnë përmes ueb –modulit online në uebfaqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), www.azhb-ks.net në linkun “Aplikimi online për PZhR”: https://azhb-aplikimet.rks-gov.net.

Aplikuesit në ueb – modul do të mund të regjistrojnë projektin, si dhe duhet të ngarkojnë të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim në PDF.

Ndërkaq, gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e provueshmërisë, kriteret e vlerësimit, fushat e investimit, mund t’i marrin në detaje në uebfaqen e MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net, si dhe në uebfaqen e AZhB-së www.azhb-ks.net.

Po ashtu, të gjithë të interesuarit për aplikim në kuadër të PZhR-së, nëse hasin në ndonjë paqartësi gjatë periudhës së aplikimit, mund të parashtrojnë pyetje për sqarim në emailin zyrtar, [email protected].