Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duhet lejuar të hyjë më në Kosovë.
Rama pak momente më herët, konfirmoi që nuk do të mbahet mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, të mërkurën në Gjakovë, me ç’rast, Spahiu tha se një poshtërim i tillë nga Shqipëria, është i papranueshëm.
“Unë besoj që kësaj radhe, Albin Kurti, nuk do të poshtërohet dhe do t’ia tregojë kufirin. Vërtetë është e papranueshme që Shqipëria si një vend fqinjë, me i vënë një sanksion apo poshtërim të tillë Kosovës. Prandaj, e meriton tu kthehet me të njëjtën monedhë. Madje, në rast se Rama vjen nesër në kufi, me i thënë “mundesh me u kthy nga ke ardhë”, theksoi Spahiu në emisionin “Këndi i Debatit”.
Madje, Spahiu vlerësoi që është e drejtë e Kurtit ta mbrojë dinjitetin e Kosovës.
“Është e drejtë e Kosovës ta mbrojë vetën, e drejtë e kryeministrit të Kosovës, është ta mbrojë dinjitetin e Qeverisë së Kosovës. Rama personalisht mund të përulet dhe zakonisht ata që janë edukuar në frymën e Enver Hoxhës, gjithmonë i përulen Tiranës, janë në gjendje ta shajnë edhe Putinin, Bidenin e Escobarin”, deklaroi tutje Spahiu.
Rama bëri të ditur se ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti, që mbledhja e nesërme në Gjakovë, të mbahet në një format më të ngushtë, pasi sipas siç tha ai, në këto kushte të agravimit të situatës, është e pamundur të mbahet takimi mes dy qeverive.