Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e bërë publik sot nga kryeministri Edi Rama, për anulimin e takimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, takim që ishte planifikuar të mbahej ditën e nesërme.
Berisha u shpreh se kryeministri Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndërkohë që i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të kenë në vëmendje faktin që kreu i qeverisë në këtë çështje po vepron për të mbrojtur interesat e tij personalë.
Berisha tha se Rama po ndërhyn në punët e brednshme të Kosovës dhe i bëri thirrje qeverisë Kurti të bëjë gjithçka për të çtensionuar situatën në veri.
Reagimi i plotë:
Rama me urdhër të Vuçiç anulon takimin me qeverinë e Kosovës!
Në një akt antikombëtar prej argati të neveriteshëm të serbomadhit Vuçiç, i ngërthyer nga skandali McGonigal, Edi Rama i nxirë sterrë me një protagonizëm qesharak idiotesk, njoftoi anullimin e takimit të njoftuar prej kohësh midis dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës si fillimi i sanksioneve ndaj kësaj qeverie. Ky vendim për anulimin e mbledhjes si hakmarrje për hedhjen poshtë nga qeveria dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të marrë në sirtaret e Beogradit, dëshmon së çfarë është i gatshëm të bëjë ky njeri për serbomadhin Vuçiç, por dhe lëkurën e tij, pasi është në hetim penal për aferën McGonigal, korruptimin e ish shefit të kundërinteligjencës së Neë York-ut në kohën kur ai ishte në detyrë. Shtoj këtu se, javë më parë dosja shqiptare e McGonigal me personazhë kryesorë Ramën dhe bashkëpuntorët e tij u bashkua për shkak të lidhjeve me dosjen ruse.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr më qeverinë e Kosovës mbron interesa personale dhe se, që nga ardhja e tij në pushtet ai është protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës me Aleksandër Vuçiç.
Së fundi ju bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë çdo përpjekje për ç’tensionimin e situatës dhe rikthimin në axhendën e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e saj si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.