17-vjeçarja piu alkool në një aheng familjar, babai i hyn “dajak” – arrestohet

Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka rënë në pranga dje një burrë në Leposaviq.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti është zbuluar pasi vajza 17-vjeçare ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga babai i saj, të shtunën në orët e mbrëmjes.

Bazuar në dëshminë e vajzës, babai i saj e ka rrahur për shkak se ajo kishte konsumuar pak alkool në një dasmë ku kanë marrë pjesë familja e tyre.

Si pasojë e dhunës së përjetuar, ajo ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ku edhe po trajtohet.

Ndërkohë i dyshuari është dorëzuar vet në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin për të cilin dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.