I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, është pyetur edhe për deklaratën e ambasadorit të ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili ditë ma parë theksoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç “është partneri ynë, shtrohet pyetja nëse është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.
Por, me gjithë zhgënjimin me Kurtin, Escobar, sqaroi se kryeministri kosovar vazhdon të mbetet partner i ShBA-së, ndonëse e ka pranuar se Kurti ndonjëherë është “partner i vështirë”.
“Më duhet ta bëj të qartë, Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë”, tha Escobar.
“Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë të pranueshme dhe të dobishme që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian së bashku. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit”.
Ai shtoi se pas pajtueshmërisë së arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ShBA-ishte ishte shumë optimiste.
Por, sipas tij, pas dy muajve që kur u arrit kjo dakoradancë, ka pasur shumë kriza politika të cilat kanë mundur të shmangen.
“Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimist. Pas dy muajve që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thosha se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”.
Sipas diplomatit amerikan, Serbia duhet të mos i pengojë Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Prishtina duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Serbia t’i jep fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”, potencoi Escobar.
Ndryshe, Escobar gjatë vizitës në Kosovë në fillim të këtij muaji, ndër të tjera kishte shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është bashkëpunues dhe po e bllokon procesin, SHBA, BE dhe i gjithë spektri trans-atlantik janë të befasuar me të dhe s’po e kuptojnë nga po buron destruktiviteti i tij, afat ka veç dhe dy ditë dhe më pas mund të ndryshojë gjithçka, Qeveria e Kosovës e ka statutin e Asociacionit, por s’po e prezanton dhe pasoja për Kurtin, jo për popullin e Kosovës, do të ketë patjetër nëse deri të premten nuk ndryshon kursin.
Escobar kishte theksuar situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.
Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”. “Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë Qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, deklaroi Escobar gjatë vizitës dy ditore në Kosovë./AlbanianPost