Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ‘shpërthyer’ në kritika ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky i fundit i ka propozuar Francës dhe Gjermanisë një draft-statut të Asociacionit.
Bahtiri këtë veprim të Ramës po e cilëson si hap shumë të gabuar dhe thekson se çdoherë Serbia ka dashur të bisedojë për Prishtinën përmes Tiranës.
Ai tutje thotë se nuk ja ka patur ‘borgj’ Kosova një veprim të tillë, Edi Ramës.
“Unë mendoj se është një hap shumë i gabuar, për arsye se qëllimi i Serbisë ka qenë çdoherë që për Prishtinën të bisedojë me Tiranën dhe ky ka qenë një qëllim shumë i hershëm. Ata çdoherë kanë patur dëshirë që të bisedojnë me Tiranën për Prishtinën, dhe ky draft në këtë situatë është i papranueshëm, është një gjë që nuk ja kemi pas ‘borgj’ Edi Ramës. Unë mendoj se ky draft-statut është i përpiluar nga miku i tij, Batoni, me njerëzit e tij dhe mendoj se është i dëmshëm”, tha Bahtiri.
Bahtiri thotë se nuk e di çfarë permban drafti, por shprehet i bindur se është me qëllim të keq.
“Ai ishte dashur që t’i japë përkrahje të fuqishme kryeministrit të vendit, të bisedojnë sepse ne jemi një komb dhe me marrë një qëndrim të përbashkët dhe jo në momentet kur zoti Kurti dëshiron që të bëjë një statut, ai del para ndërkombëtarëve me një statut të tillë. Ai draft unë nuk e di çfarë përmban, por pavarësisht çfarë përmban është me qëllim të keq të cilin ne nuk ja kemi patur borgj” thotë ai.
Ish-kryetari i Mitrovicës thotë se edhe me 2018, Edi Rama, ka propzuar ndarjen e Kosovës.
“Dua ta dini se edhe në 2018 ka ndodh një gjë e tillë, se zoti Rama ka propozuar ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve, dhe e kanë bindur Thaçin në atë kohë që të bënte diçka të tillë duke i patur disa emisarë amerikanë siç është Grenell. Shkuarja e Grenell në Shqipëri ka bërë që të riaktualizohet ai plan.Po shpresoj se zoti Kurti do të përballojë edhe ketë hile që ia bën zoti Rama. Ai dëshiron të jetë lider ballkanik dhe nuk i intereson fare çështja e Kosovës”, shtoi Bahtiri për GazetaBlic.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se i kanë propozouar Gjermanisë dhe Francës një draft të Asociacionit për Republikën e Kosovës.
Ai ka konfirmuar se ua ka dërguar draftin presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe se e ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.