Sot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

145 vjet më parë, pra më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, andaj shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.

Kryeministri Albin Kurti, do të marrë pjesë në tribunën e shënimit të kësaj dite në Prizren, në orën 11, ndërkaq në 12 ai do të marrë pjesë në manifestimin qendror të 145-vjetorit të kësaj Lidhjeje dhe të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës , në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në përmbyllje të shënimit të 145- vjetorit të Lidhjes Shqiptare, Kurti do të bëjë homazhe në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit në orën 13.