SHBA dhe BE kanë kërkuar zgjedhje të reja lokale në Kosovë pas trazirave në komunat veriore.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën suedeze, Aftonbladet, thotë se është i hapur ndaj kësaj mundësie.
“Por atëherë zgjedhjen duhet të ndodhin pa ndërhyrë Beogradi”, tha Kurti.
Gazeta suedeze raporton sot se pyetja kryesore ka qenë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës duhet të largohet nga ndërtesat komunale në veri. Por, Kurti thotë se policia ka arsye për qëndrimin në veri.
Ndërtesat komunale janë të Kosovës. Policia e Kosovës është brenda dhe rreth këtyre ndërtesave, krah për krah me personelin e NATO-s, sepse jashtë ka grupe të dhunshme, qëllimet e të cilëve nuk janë paqësore”, përgjigjet Albin Kurti.
Ngjarjet e së hënës së 29 majit janë dëshmi e qartë e kësaj, sipas kryeministrit.
“Atë ditë u bë e qartë për të gjithë se cilët janë kundërshtarët tanë: grupe të maskuara ekstremiste të djathta që vandalizojnë, sulmojnë dhe djegin gjithçka që nuk konsiderohet serbe, që lartësojnë simbolet nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi i Serbisë me katër S-ja dhe shkronja Z, që lidhet me agresionin e Rusisë në Ukrainë”, thotë Kurti.
Kryeministri deklarohet edhe për sulmet ndaj 30 ushtarëve të NATO-s, si dhe sulmet ndaj gazetarëve e policisë së Kosovës, duke thënë se asnjë incident nuk është shkaktuar nga policia e Kosovës.