Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se të mërkurën e ardhshme do të mbahet mbledhja e radhës e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, ai ka bërë me dije vetëm gjatë kohës sa është kryeministër në këto mbledhje janë nënshkruar 41 marrëveshje.
Sipas tij, shumica nga to janë zbatuar në mënyrë të plotë.
“Sot një javë, do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka vlerësuar se qëllimi i këtyre mbledhjeve është lehtësimi i jetës së qytetarëve të të dy vendeve.
“Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në zgjedhjen e mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”, ka deklaruar Kurti.