Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Studime e Ulët në komunën e Vushtrrisë, ku një grua ka humbur jetën tragjikisht.
Sinjali mëson se viktima është Haka Qerimi, 64-vjeçare, trupi i së cilës u nxor nga bunari që ndodhet në oborrin e shtëpisë së saj.
Burimet e Gazetës brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë dalë në vendin e ngjarjes posa kanë pranuar thirrjen për ndihmë dhe pasi trupi është nxjerrë nga ekipi i zjarrfikësve dhe Policisë, kanë kryer ekzaminimet për shenjat vitale.
Mjeku i ekipit mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës dhe me urdhër të prokurorit trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në anën tjetër, në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka marrë deklaratat e familjarëve të të ndjerës, të cilët kanë deklaruar se 64-vjeçarja ishte në gjendje stabile dhe nuk ka pasur ankesa për ndonjë problem.
Nuk dihen ende rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.