Po bëhen një javë që Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake e NATO-s “Defender Europe” dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura të Kosovës ka zgjedhur heshtjen përball goditjes më të rëndë që ushtria ka marrë nga aleati kryesor i saj, duke u përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake që FSK-ja ka marrë pjesë ndonjëherë.
Tejkalimi i këtij sanksionimi të SHBA-së me heshtje nga ana e shefes se shtetit po kritikohet nga opozita.
Ata kanë bërë me dije se Presidentja Osmani ka përgjegjësi për këtë çështje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se e para e vendit duhet të flasë për këtë sanksionim.
“Presidentja ka përgjegjësi, ajo mes tjerash është edhe komandante supreme e ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i ushtrisë së Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në rajon, e që udhëhiqet nga SHBA-ja, nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Presidentja duhet të flasë edhe për përjashtimin e ushtrisë tonë dhe shuarjen e andrrës do të thoja të mbi 1 mijë ushtarëve tonë që janë përgatitur për më shumë se një vit. Komandantja e supreme nuk ka thënë asgjë që unë e kam dëgjuar. Jo vetëm për këtë çështje, po edhe për situatën e krizës duhet të kemi deklarim”, ka thënë Krasniqi.
Edhe deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar presidenten dhe kryeministren për këtë sanksionim të parë të SHBA-së ndaj Kosovës.
“Kosova sot po humb miq dhe aleatë për shkak të politikës së mbrapshtë të binomit Kurti-Osmani. Kosova sot është në pikën më të ulët të mbështetjes nga aleatët në tri dekada. Binomi Kurti-Osmani po e dërgon Kosovën drejt izolimit. Nga vendi me mbështetjen më të madhe amerikane në rajon, këta të paaftë e kthyen Kosovën në qendër të kritikave dhe fajësimit nga ana e aleatëve. Pasojat tanimë po i bartim – Kosova është përjashtuar nga ‘Defender 2023’, që ishe ëndërr e ushtarëve të FSK-së. Cilat janë pasojat e radhës?!”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Kurti e kishte quajtur katastrofë
Ndryshe nga Presidentja Osmani, kryeministri Kurti përjashtimin e Kosovës nga kjo stërvitje e kishte cilësuar si katasrofale për Kosovën.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai kishte thënë se kjo nuk është e drejtë.
“Çfarë kemi parë është suspendimi nga ushtrimi ‘Defender Europe 23’ dhe ne kemi qenë duke u përgatitur qe dy vjet për këtë. Është fatkeqësi. Nuk mendoj se është e drejtë, por kush jam unë të vendosi. Përsëri, më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, ka thënë Kurti.
Para se të përjashtohej Kosova, Presidentja Osmani këtë stërvitje ushtarake e kishte vlerësuar si shumë të rëndësishme.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj stërvitjeve ushtarake të NATO-s, më 21 maj, presidentja Osmani këtë stërvitje e kishin cilësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën.
Madje, sipas saj, kjo ishte një stërvitje historike për Kosovën dhe FSK-në.
“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërsisë tonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndroi vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti e bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e paqësore.”, kishte thënë Osmani.
Ushtrimi fushor “Defender Europe” është prej ushtrimeve më të rëndësishme që ka marrë pjesë Kosova. Në këtë ushtrim, i cili drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, marrin pjesë ushtritë më të fuqishme të botës.
Për herë të parë në këtë ushtrim Kosova kishte marrë pjesë në vitin 2021.
Pjesëmarrja ishte planifikuar edhe këtë vit, ku mbi 1 mijë e 300 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kishin treguar profesionalizëm për të marrë pjesë në “Defender Europe 23”.
Veprimet e njëanshme të Kosovës në veri, të cilat çuan në rritjen e tensioneve atje, kanë bërë që SHBA-ja të marrë vendim për përjashtimin e Kosovës nga kjo stërvitje ushtarake./Nacionale