Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një punëtori të postës së shpejtë ‘Speed Posta’, në Fushë Kosovë, i cili dyshohet se ka përvetësuar mbi 3500 euro, duke keqpërdorur besimin në këtë kompani. Paratë të cilat i mori pasi shpërndau mallin nuk i ktheu, e bashkë me to u zhduk edhe vet. Por pas denoncimit, Policia arriti ta prangos dhe i njëjti tashmë ndodhet në mbajtje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Veton Rexhepin, 33-vjeçar, i cili u kap gjatë ditës së djeshme në një fshat të Prishtinës. Me rastin e kontrollit policor, atij iu gjetën vetëm 1 mijë euro nga shuma totale që dyshohet se kishte përfituar kundërligjshëm.
Përveç parave, gazeta mëson se pasi Rexhepi u ndalua, atij iu është gjetur edhe një sasi e substancave narkotike, marihuanë e kokainë, rast ky për të cilin po ashtu kanë nisur hetimet.
Zbulimi i rastit erdhi pasi i riu u denoncua nga menaxheri i tij, i cili raportoi se i njëjti e kishte marrë mallin për ta shpërndarë dhe më nuk është kthyer në lokal për barazim.
Pas arrestimit dhe sekuestrimit të provave materiale, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është marrë në pyetje nga hetuesit policorë, me ç’rast ndër të tjera i njëjti i ka pranuar veprat për të cilat dyshohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve për dy veprat penale.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.