Pas kërkesës së NATO’s, Turqia dërgon një batalion të komandove në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se do të nis për në Kosovë një batalion rezervë të ushtarëve pas kërkesës së bërë nga NATO. Një vendim i tillë i NATO-s për rritjen e numrit të forcave në Kosovë ka ardhur pas ngjarjeve dhe tensioneve në veri të Kosovës.

Ushtarët turq do të vendosen në Kazermën “Sulltan Murat” përgjatë katër dhe pesë qershorit, shkruan Gazeta Express.

Pas ngjarjeve të ndodhura në Kosovë, një batalion komando i lidhur me komandën tonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Kırklareli), i cili më parë ishte caktuar në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), u caktua si njësi rezervë, në bazë të kërkesës së bërë nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s/Napoli (Itali)”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se Turqia vazhdon të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global përmes Kombeve të Bashkuara, NATO-s, BE-së e OSBE-së dhe përmes raporteve dypalëshe.

Në këtë kontekst thonë se Turqia po ndjek nga afër zhvillimet në Ballkan, ku thonë se Turqia ka lidhje historike dhe kulturore.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë thotë se kërkohet një qëndrim konstruktiv dhe thirrje për përmbajtje tek palët, për zgjidhjen e situatës në veriun e “Kosovës miqësore e vëllazërore” përmes dialogut, meqë sipas tyre e dëmton sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

NATO ka vendosur për 700 trupa shtesë në Kosovë, ndërkohë edhe një batalion tjetër rezervë është vënë në gjendje të lartë gatishmërie.