I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë merr vesh nga burimet diplomatike në Bruksel se ata do të qëndrojnë në Prishtinë e Beograd të hënën dhe të martën.
Vizita e tyre, sipas burimeve, do t’i ketë dy qëllime kryesore: uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe vazhdimin e punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kjo vizitë e dy zyrtarëve të lartë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës është tensionuar.
Tensionet në atë pjesë të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
E SHBA-ja e kritikoi Qeverinë Kurti për veprimet e saj dhe e sanksionoi Kosovën me mospjesëmarrje në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.