Presidenti i Serbisë gjatë intervistës me CNN, përmend Putinin duke cituar gazetaren e këtij mediumi të ketë folur për të. Ajo e ndërpret dhe i thotë se askush nuk e përmendi as Rusinë e as Putinin. I gjetur në siklet dhe i skuqur për gënjeshtrën e thënë drejtpërdrejt në televizion, Vuçiq i thotë: “ju paskam kuptuar gabim” (përplasja CNN-Vuçiq në minutën 09:20)
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë intervistë për CNN, një ditë pasi një intervistë të ngjashme e ka dhënë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit Kurti se protestat në veri të vendit janë duke u drejtuar nga milicia fashiste, Vuçiq tha se fjalët e tij nuk janë vetëm akuza të forta, por janë sharje dhe më shumë tregojnë për personin që i thotë ato dhe për njerëzit.
“Që ta bëj shumë të qartë se janë vetëm dy gjëra të rëndësishme. I ftuari juaj (Kurti v.j) fliste për mos zbatimin marrëveshjeve të kaluara. Serbia ka zbatuar gjithçka, që nga marrëveshjet e para që datojnë nga prilli 2013”, tha Vuçiq në këtë intervistë.
“Kishte vetëm një obligim nga ana e Kosovës, e ajo ishte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nuk e kanë bërë këtë, nuk kanë dashur ta bëjnë këtë dhe ende nuk duan ta bëjnë këtë”, tha Vuçiq.
Ai tha se ky Asociacion është gjithashtu pjesë e aranzhimeve të reja. Sipas tij, çështja e dytë janë mbajtja e zgjedhjeve. “Kurti tha se kanë legjitimitet të ulët, vetëm 3.4% kanë votuar. Ato janë zgjedhje turpi”, tha Vuçiq.
“A keni dëgjuar ndonjëherë apo keni parë se ka zgjedhje legale e legjitime ku dalja në zgjedhje është 3.4%”, tha Vuçiq.
“Madje ai (Kurti v.j) vetë përmendi se 97% e qytetarëve në veri si milici fashiste, grupe kriminale, ultra nacionalistë, të korruptuar, njerëz të shantazhuar”.
Vuçiq pretendoi se po shpjegon të vërtetën duke thënë se serbët po kërkojnë siguri për familjet e tyre.
Ai tha se që nga koha kur Albin Kurti mori pushtetin, kanë ndodhur 353 sulme të bazuara mbi baza etnike. “Është numri më i madh i sulmeve mbi serbët që nag viti 2008, koha kur ata e kanë deklaruar të ashtuquajturën pavarësinë e tyre”, tha Vuçiq.
Gazetarja e CNN e pyeti kreun e shtetit serb se Kryeministri i Kosovës në këtë emision, pati deklaruar se në zgjedhje kanë dalë numër i ulët i qytetarëve serbë për shkak të presionit dhe shantazhit të shkaktuar nga Beogradi. “A iu keni kërkuar ju atyre që t’i bojkotojnë zgjedhjet?”, pyeti CNN.
Në këtë pyetje, Vuçiq mohoi se ka gisht në dhënien e direktivave për serbët e Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet.
“Jo, ishte vendim i tyre. Por ju duhet të dini diçka tjetër sepse dua të shpjegoj në mënyrë faktike tërë çështjen”, pretendoi Vuiciq.
“Para vitin 2013, serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Kosova. Pastaj jemi pajtuar për këtë. Serbët kanë marrë pjesë katër herë në zgjedhje dhe nuk ka pasur probleme”, tha ai.
Por sipas Vuçiqit, prej kur Albin Kurti mori pushtetin, ai ndaloi serbët të votojnë në referendumin e organizuar nga Beogradi, dhe ndaloi ata të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.
“Por më shumë se kaq dhe më e rëndësishmja është se ai nuk themeloi Asociacionin që ishte parakusht për serbët edhe para dhjetë vjetësh, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare e lokale”.
I pyetur se si mund të bëhet shtensionimi i situatës, Vuçiq tha se janë të përkushtuar që t’i thërrasin serbët të rrinë të qetë dhe të bëjnë gjithçka për ta stabilizuar situatën e cila sipas tij është “destabilizuar nga regjimi i Prishtinës”.
Sipas tij thirrjen e bën edhe pasi një serb është qëlluar dhe është e paqartë se çfarë do të ndodhë me të. “Nuk e keni dëgjuar këtë dhe ne shprehim gjithashtu keqardhje për disa ushtarë të KFOR-it që janë lënduar dhe për këtë arsye në publikisht kemi thënë si dje edhe sot që para vetës kemi protestë paqësore”, tha ai, duke shtuar se në protestë ishin mësues e infermierë.
Vuçiq u pyet se derisa u ka bërë thirrje protestuesve për të qenë të qetë, a do të thotë kjo se vetë ai ka kontroll mbi këta protestues?
Ai e mohoi të ketë çfarëdo kontrolli mbi ta por tha se beson se shumica e këtyre njerëzve tregojnë respekt për Serbinë dhe se çfarë mund të bëjë me partnerët ndërkombëtarë, është se kanë nevojë të kenë një rajon të stabilizuar.
CNN ia rikujtoi presidentit serb se askush nuk ka bërë thirrje për destabilizim të situatës. Megjithatë, gazetarja tha se është fakt që Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj çfarë do të bëjë Serbia që ta bëjë këtë?
“Nuk më as çështje sepse vëren se çfarë kemi folur me planin franko-gjerman, atë në Ohër për procesin e normalizimit, është parakusht për progresin e Serbisë…”, tha Vuçiq.
Megjithatë, gazetarja e ndërpreu duke i parashtruar sërish pyetjen e njëjtë e të drejtpërdrejtë.
“Zotëri, a e njihni Kosovën si shtet të pavarur e sovran?”
“Nuk e dëgjova pyetjen tuaj të fundit, më vjen keq..”, tha Vuçiq, të cilët sërish gazetarja e CNN ia përsëriti pyetjen.
“Pyetja ime është se a e njihni Kosovën shtet të pavarur dhe sovran?”
Vuçiq tha: “Ne njohim kartën e OKB-së dhe Rezolutën e OKB-së dhe këtë bëjmë, por ne jemi gjithmonë gati të diskutojmë të gjitha zgjidhjet e kompromisit dhe gjithmonë kemi qenë gati për këtë dhe gjithmonë do të jemi. Çështja e vërtetë është se përse dikush përpiqet të eskalojë situatën. Ju përmendet le të themi presidentin Putin (edhe pse gazetarja asnjëherë nuk e përmendi Putinin apo Rusinë v.j) dhe mund t’ju them se kam dëgjuar edhe mediumin tuaj dhe mediat e tjera se Serbia, nën direktivat e Rusisë do të sulmojë këtë apo atë shtet apo etnitet. Dhe sigurisht e nuk ka ndodhur…”, tha Vuçiq i cili në këtë moment u ndërpre nga gazetarja e CNN e cila ia shpjegoi se nuk është e vërtetë ajo për cfarë Vuçiq po fliste.
“Z. President, një gjë e tillë nuk ka dalë asnjëherë nga goja ime, prandaj veç le të jemi të qartë për këtë”, tha ajo, duke vënë në siklet Presidentin Vuçiq i cili dukshëm i skuqur dhe nëpër dhëmbë tha:- “ju paskam kuptuar gabim, s’ka problem”.
Ndërkohë, gazetarja e CNN e pyeti atë mbi komentet e Ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili ka thënë se: “Kemi kërkuar kryeministrit Kurti shumë drejtpërdrejtë që ndërmarrë hapa për shtensionim të situatës në veri. Ai nuk është përgjigjur në këtë kërkesë. Prandaj më lejoni t’ju pyes, ju keni ngritur forcat ushtarake në gatishmëri,. Cila është vija juaj e kuqe?”, pyeti gazetarja e CNN.
Vuçiq tha se janë shumë të kënaqur me deklaratat e fundit të bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. “Jemi të bindur se ishte edhe deklaratë korrekte e bërë edhe nga presidenti i Francës, Macron dhe besojmë se ata kanë thënë gjërat që janë të qëndrueshme për situatën që po vazhdon në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.
Ai pretendon se nëse flitet për obligimet nga Serbia, ajo po vepron 100% në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, me Rezolutën e OKB-së 1244, me marrëveshjen e NATO-s, me KFOR-in.
“As me një ushtar nuk kemi hyrë në Kosovë dhe nuk kemi shkelur asnjë rregull ndërkombëtar”, duke shpjeguar se kanë bashkëpunim shumë të mirë me trupat e NATO-s./RTK