Raportohet për plagosjen e 41 ushtarëve të KFOR’it – thuhet të jetë përdorur edhe eksploziv

Albanian Post shkruan se 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani shihet një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan.

“SHBA-të dënojnë fuqishëm aksionet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivit, kundrejt trupave të NATO-s”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Njëjtë si Hovenier ka reaguar edhe homologu i tij britanik, Nicholas Abbott.

“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Ashtu siç QUINT-i e ka bërë krejtësisht të qartë, aksionet duhet të merren menjëherë për të de-eskaluar dhe reduktuar tensionin”./AlbanianPost