Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik, ku përfshihen edhe efektet e COVID-19.
62.5% e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 48.1% deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 52.6% treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.
Përmbledhja Pulsi Publik 22 bazohet në një anketë të opinionit të kryer nga 6 deri më 24 prill 2022, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë përmes intervistave sy më sy.
“Gjithsej 62.5% e të anketuarve (51% në vjeshtë 2021, 60.7% në maj 2021, 68.7% në dhjetor 2020 dhe 65.9% në prill 2020) deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike. Gjithsej 48.1% (43.9% në vjeshtë dhe maj 2021, dhe 46.9% në dhjetor 2020 dhe 40.7% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik. Gjithsej 52.6% (50.7% në vjeshtë 2021, 48.6% në maj 2021, 52.8% në dhjetor 2020 dhe 59% në prill 2020) treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor”.
Ashtu si në anketat e mëparshme, këto shifra sugjerojnë se situata e krijuar nga shpërthimi i COVID-19 në Kosovë ka pasur efekte të mëdha negative në mirëqenien ekonomike të të anketuarve, të pasuara nga efektet në shëndetin mendor dhe shëndetin fizik.
“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se në përgjithësi femrat janë prekur më shumë sesa meshkujt. Për sa i përket mirëqenies ekonomike, femrat (62.5%) ishin pak më të prekura se meshkujt (60.8%). Shëndeti fizik i femrave (50.1%) është prekur më shumë sesa ai i meshkujve (45.1%). Ndikimi i COVID-19 në shëndetin mendor të femrave (53.7%) ishte më i lartë se tek ai i meshkujve (50%)”, thuhet më tej.
Në këtë anketë gjithsej 35.5% janë shprehur të kënaqur me masat e marra nga kabineti ekzekutiv për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Për më shumë lexoni raportin e UNDP-së: /Telegrafi/