Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka kritikuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, pasi kjo e fundit i ka qortuar policët e Kosovës për prezencën e tyre në Veri.
“Von Cromon, çfarë dreqin ke me policë. Ata zbatojnë urdhra në zbatim të ligjit. Drejtohu te urdhërdhënësi. Zonja e vjetër, nëse s’e di, ai quhet Albin Kurti”, ka shkruar Haziri.
Ndërsa sa i përket “ultimatumit të Listës Serbe” më 1 qershor”, sipas Hazirit, kryetarët vazhdojnë punët ditore deri në një marrëveshje do të mbulojnë vakumin institucional pa legjitimitet, por legal.
“Lind dielli prapë, punën e vazhdojnë në kafene”, shtoi ai.
Po ashtu Haziri ka porositur disa ministra siç i ka quajtur “vizitorë”, të mos sillen “si liberatorë të serbëve të Kosovës në veri se jeni duke e dëmtuar shtetin, progresin e këtij vendi dhe partneritetin”.
“Lejoni ata kryetarë legalë e pa legjitimet që të shkojnë në punë ditore pa policë e liberatorë-ministra, se jeni duke i dëmtuar në ditët e para të punës”, potencoi ish-kryetari i Gjilanit.
Ndryshe, në një bashkëbisedim te çuditshëm, Cramon, iu ka kërkuar llogari policëve të Kosovës për prezencën e tyre në Veri.
“Çka dreqi iu solli këtu?”, pyeti ajo policët.
“Pse, ku është kërcënimi?”, vazhdoi politikania gjermane dhe kërkoi përgjigje në adresë të gabuar.
Me vonë, ajo megjithatë u shpreh se e kupton fare mirë se nuk i takon policisë të vendos për këto lloj aksione, por është niveli politik që cakton urdhrat.
“Nuk ju fajësoj, mos më keqkuptoni. Nuk ju takon juve të vendosni se ku do të punoni”, tha Von Cramon, duke shtuar se e di që “pyetjet duhet t’i bëj në Prishtinë”.